Nothing Special   »   [go: up one dir, main page]

Jump to content

Orioni

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Orioni (greq. Orion, lat. Orion) - i biri i Poseidonit, zotit të detit dhe dashnores së tij Euriales, gjahtar i flakët.

Prej të gjithë personazheve të miteve greke Orioni ka pasur trupin më të lartë : kur ecte nëpër fundin e detit koka i dilte mbi dallgë. Pos madhësisë së vet ai dallohej edhe për nga bukuria e trupit, arti i gjahut dhe fatkeqësitë, për të cilat autorët antikë nuk kanë qenë të një mendimi. Lajmet për të përputhën në atë se shkaktari i fatkeqësive të tij ishin gratë. Gruaja e parë e tij, Sida, ishte ngapak mburracake. Kur pat deklaruar se është më e bukur se hyjnesha Hera, me urdhërin e saj që e detyruar që ta braktisë këtë botë dhe të shkojë në Tartar. Pas një kohe të kaluar në pikëllim për të Orioni u dashurua në bijën e mbretit Enopion nga Hiosi, që quhej Aera ose Meropsa, dhe me kërkesë të saj i shfarosi të gjitha bishat e egra në ujdhesë. Për këtë Enopioni ia premtoi vajzën për grua, por e zvarriste zbatimin e premtimit të vet. Orioni ia shkurtonte vetes kohën me verë, dhe, siç ndodh kjo rëndom nën ndikimin e alkoolit, e humbi kontrollin dhe e rrëmbeu të fejuarën e vet. Enopioni atëherë e luti Dionizin, zotin e verës që të marrë hak për këtë vepër. Dionizi e vuri në gjumë Orionin dhe pastaj Enopioni e verboi. Mirëpo, Orioni mësoi për profecinë se si t'ia kthejë vetes të parët: i është dashur të shkojë në lindje dhe atje t'ua eksponojë sytë e vet rrezeve të diellit të mëngjesit. Veproi siç i pat thënë profecia dhe ajo u realizua që në ujëdhesën Lemnos. Orioni kthehet në Hios për ta dënuar Enopionin. Ky iku para tij, ndërsa Orioni shkoi për ta kërkuar. Pas përpjekjeve të kota erdhi deri në Kretë ku iu bashkua shoqërisë së gjahtarëve të hyjneshës Artemida. Mirëpo, kjo për këte qe e kobshme: kur ishte në lindje, në të u dashurua Eosa, hyjnesha e kuqërimit të mëngjesit, ndërkaq, Artemida nga xhelozia (me rastin e tentimit të ikjes nga shoqëria e saj, apo me rastin e përpjekjes së Eosës për ta rrëmbyer) e vret. Sipas versionit tjetër e vret Apolloni me kërkesë të Artemidës. Sipas versionit tjetër shkaktari i shkatërrimit të Orionit ishte frika e Artemidës që në afshin e vet të gjahut do t'i çfarosë të gjitha bishat. Zoti i mjekësisë, Asklepiadi, përpiqet ta ringjallë Orionin e vrarë, por e ka penguar rrufeja e Zeusit, zotit suprem. Asnjë zot nuk guxon që ta prishë veprën e zotit tjetër, dhe kështu ka përfunduar rruga e Orionit në këtë jetë.

Kundërthëniet në përshkrimet e jetës së Orionit nuk morën fund as në lidhje me ngjarjet pas vdekjes së tij. Sipas disa autorëve ka arritur në botën nëntokësore së bashku me qenin e vet, Siriusin dhe atje gjuente bisha të egra. Sipas të tjerëve, zotërat për shkak të dashurisë së tij ndaj yjeve (përkatësisht për shkak se gjatë tërë jetës së vet më kot mallengjehej për Pleadet (Shejzat), bijat e Atlantit, e ngritën në qiell ku deri më sot ndriçon si hyllesi e ndritshme. Gjatë netëve të kthjellta shihet bukur brezi i tij i gjahut.

Shënimet e para lidhur me Orionin gjenden në Odisenë e Homerit. Vargjet sipas të cilave në botën nëntokësore gjuan bisha të egra, janë në kundërshtim me imagjinatën për jetën nëntokësore të Hadit, andaj konsiderohet se në Odise janë futur më vonë. Në pikturat në vaza, relieve dhe përmendore të tjera figurative nga antika është ruajtur numri i vogël i paraqitjeve të figures së Orionit. Njëra prej më të bukurave gjendet në pasqyrën etrure prej bronze, me siguri e shek. V para e.s. që e paraqet Orionin që e kalon detin (sot gjendet në Muzeun Britanik në Londër).