Nothing Special   »   [go: up one dir, main page]

Jump to content

Deklarata e 9 Majit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Deklarata e 9 majit 1950 është data kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si BE Bashkimi Evropian. Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Shuman, lexoi për shtypin ndërkombëtar një deklaratë ku i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për të bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut që do të ishte “themeli i parë konkret për një Federatë të ardhshme Evropiane”. Vendet të cilave u drejtohej thirrja kishin dalë të rrënuara materialisht dhe moralisht nga konfliktet me njëra tjetrën. Ajo që propozonte Schuman ishte krijimi i një institucioni evropian mbi kombëtar, i cili do të administronte industrinë e prodhimit të qymyrit dhe çelikut, sektor i cili në atë kohë ishte baza e fuqisë ushtarake.

Vite më vonë, në Samitin e Milanos1985, krerët e BE-së vendosën që data 9 maj të shpallej dhe festohej si “Dita e Evropës”.

Paqja botërore nuk mund të mbrohet pa përpjekje kreative në proporcion me rreziqet që e kërcënojnë atë. Kontributi që një Evropë e organizuar dhe aktive mund të sjellë për qytetërimin është i domosdoshëm për ruajtjen e marrëdhënieve paqësore. Në rolin e saj më shumë se 20 vjeçar si kampioni i një Evrope të bashkuar, qëllimi themelor i Francës ka qenë gjithmonë t’i shërbejë paqes. Një Evropë e bashkuar nuk u realizua dhe pasoja ishte lufta.

Evropa nuk do të krijohet menjëherë ose sipas një plani të vetëm. Ajo do të ndërtohet me anë të arritjeve konkrete të cilat në radhë të parë do të krijojnë një solidaritet de facto. Bashkimi i kombeve të Evropës kërkon eliminimin e kundërshtive të vjetra midis Francës dhe Gjermanisë. Çdo veprim që do të ndërmerret, si fillim duhet të zgjidhë çështjen e këtyre dy vendeve. Me këtë synim qeveria franceze propozon që menjëherë të ndërmerren hapa në lidhje me një çështje vendimtare.

Ajo propozon që gjithë prodhimi franko-gjerman i qymyrit dhe çelikut t’i nënshtrohet një Autoriteti të Lartë të përbashkët në kuadrin e një organizate të hapur për pjesëmarrje nga të gjithë vendet e tjera të Evropës.

Bashkimi i prodhimeve të qymyrit dhe çelikut duhet të mundësojë hedhjen e menjëhershme të themeleve të përbashkëta për zhvillim ekonomik si hapi i parë për një federatë evropiane dhe kjo do të ndryshojë fatin e atyre rajoneve të cilat i janë dedikuar për shumë kohë prodhimit të municioneve të luftës dhe në fund kanë rënë viktima të produkteve të veta.

Menjëherë pas vendosjes së solidaritetit në prodhim do të bëhet e qartë që një luftë midis Francës dhe Gjermanisë bëhet jo vetëm e paimagjinueshme, por edhe materialisht e pamundur. Krijimi i kësaj njësie të fuqishme të prodhimit, e hapur ndaj pjesëmarrjes së çdo vendi dhe me qëllimin kryesor për t’i siguruar gjithë vendeve anëtare elementët bazë të prodhimit industrial në kushte të barabarta, do të hedhë themele të forta për bashkimin ekonomik të tyre. Ky prodhim do t’i ofrohet tërë botës pa dallime apo përjashtime, me qëllimin që të kontribuojë në rritjen e standardeve të jetesës dhe nxitjes së zhvillimit paqësor. [...]

Në këtë mënyrë do të realizohet thjesht dhe shpejt ajo shkrirje e interesave që është e domosdoshme për themelimin e një sistemi të përbashkët ekonomik; ajo që mund të jetë fara e një komuniteti më të gjerë dhe më të thellë midis vendeve me histori të gjatë mosmarrëveshjesh dhe ndarjesh të përgjakshme.

Duke shkrirë prodhimin bazë dhe duke i dhënë formë institucionale një Autoriteti të Lartë, vendimet e të cilit do të bind Francën, Gjermaninë dhe të tjera vende anëtare, ky propozim do të çojë drejt realizimit të themelit të parë konkret për një federatë evropiane të domosdoshme për ruajtjen e paqes.

Për të nxitur realizimin e objektivave të përcaktuara, qeveria franceze është e gatshme të fillojë negociatat në bazat e mëposhtme : Detyra e këtij Autoriteti të Lartë do të jetë që në kohën më të shkurtër të mundshme të bëjë të mundur modernizimin e prodhimit dhe përmirësimin e cilësisë së tij ; furnizimin me qymyr dhe çelik të tregjeve franceze dhe gjermane dhe vendeve të tjera anëtare sipas dispozitave të njëjta ; zhvillimin e përbashkët të eksporteve drejt vendeve të tjera ; barazimin dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së punëtorëve në këto industri.

Për të arritur këto objektiva, duke filluar që nga kushtet shumë të vështira në të cilat kryhet prodhimi në vendet anëtare, propozohet të institucionalizohen disa masa transitore, si zbatimi i një plani të prodhimit dhe investimit, vendosja e makinerive që do të kompensojnë barazimin e çmimeve, dhe krijimi i një fondi për rindërtim për të thjeshtësuar racionalizimin e prodhimit. Lëvizja e qymyrit dhe çelikut midis vendeve anëtare do të liberalizohet menjëherë nga të gjitha taksat doganore dhe nuk do të ndikohet nga kuota transporti diferenciale. Në mënyrë graduale do të krijohen kushtet që do të bëjnë të mundur në mënyrë spontane një shpërndarje më racionale të prodhimit dhe në nivelet më të larta të produktivitetit.

Në kontrast me aleancat ndërkombëtare të cilat tentojnë të imponojnë praktika kufizuese në shpërndarjen dhe shfrytëzimin e tregjeve kombëtare duke ruajtur përfitime të larta, kjo organizatë do të sigurojë shkrirjen e tregjeve dhe përhapjen e prodhimit.

Parimet dhe sipërmarrjet kryesore të përmendura më sipër do të jenë subjekti i një traktati midis Shteteve i cili më pas do t’u dorëzohet parlamenteve përkatëse për ratifikim. Bisedimet që nevojiten për të vendosur mbi detajet e aplikimeve do të ndërmerren me ndihmën e një ndërmjetësi të emëruar me marrëveshje nga të gjithë pjesëmarrësit. Ai do të marrë përsipër përgjegjësinë të kontrollojë nëse marrëveshjet janë konform parimeve të mësipërme, dhe në çdo rast problematik, ai do të vendosë se si do të zgjidhet çështja.

Autoriteti i Lartë i përbashkët i ngarkuar me administrimin e skemës së propozuar do të përbëhet nga individë të pavarur të caktuar nga qeveritë, në nivele përfaqësimi të barabarta. Një kryetar do të zgjidhet me marrëveshje midis të gjitha qeverive. Vendimet e Autoritetit do të jenë të detyrueshme për t’u zbatuar në Francë, Gjermani dhe vende të tjera anëtare. Gjithashtu do të sigurohen masat e duhura për procedura të apelimit kundër vendimeve të Autoritetit.

Një përfaqësues i Kombeve të Bashkuara do të akreditohet pranë Autoritetit, dhe do të udhëzohet të raportojë publikun e Kombeve të Bashkuara dy herë në vit mbi punimet e organizatës, veçanërisht në lidhje me ruajtjen e objektivave.

Institucioni i Autoritetit të Lartë nuk do të paragjykojë në asnjë mënyrë metodat e zotërimit të sipërmarrjeve. Në ushtrimin e funksioneve të tij, Autoriteti i përbashkët do të marrë parasysh kompetencat që i janë ngarkuar nga Autoriteti Ndërkombëtar i Ruhr-it dhe detyrimet e çdo lloji që i imponohen Gjermanisë, për sa kohë këto të fundit janë në fuqi”.