Nothing Special   »   [go: up one dir, main page]

Jump to content

djeg

Nga Wiktionary

DJEG kal.

1. I vë zjarrin diçkaje a e hedh në zjarr dhe e bëj shkrumb e hi, e shkatërroj, e asgjësoj a e prish në zjarr; e dëmtoj diçka me zjarr a me një send shumë të nxehtë, e shkrumboj. Djeg drutë (barin, kashtën). I dogjën shtëpinë. Djeg me benzinë. Djeg në zjarr (në flakë). E dogji fare. I dogjën kufomat. Dogji flokët (vetullat). Dogji këmishën (fustanin, pantallonat). E dogji rrobën me hekur.

2. Përcëlloj një pjesë të trupit në zjarr a në flakë; bëj një plagë në trup me zjarr, me hekur a me ujë shumë të nxehtë, me lëndë gërryese etj.; përvëloj; përcëlloj. Dogji dorën (këmbën, gishtat, gjuhën, buzët). E dogji me acid. I dogji duart në gëlqere.

3. Skuq, ziej a pjek jashtë mase diçka në zjarr, sa merr një ngjyrë të errët a të zezë ose shije të hidhur (zakonisht për gjellët e lëndët ushqimore); ciknos, zhuzhit, shkrumbos; skuq shumë miellin, gjalpin etj. për të gatuar një gjellë. E dogji gjellën (bukën, mishin, tavën, lakrorin). Djeg vajin (gjalpin). Djeg sheqerin (miellin).

4. Harxhoj një lëndë në zjarr a në flakë për ngrohje, për ndriçim, për gatim etj.; konsumoj. Djeg dru (qymyr, vajguri). Djeg shumë benzinë (elektrik). Mos e digj kot dritën!

5. Prish gjatë përdorimit një llambë elektrike, një mjet elektrik a një aparat, motor etj. që punon me rrymë elektrike. E dogji llambën (motorin, radion).

6. Dezinfektoj një plagë, një lungë etj. me një bar të caktuar a e përcëlloj me hekur të nxehtë për ta mjekuar. E dogji vendin e prerë me alkool (me jod). Më parë i digjnin plagët me hekur.

7. vet. veta III. E than shumë, e dëmton aq shumë sa fishket a thahet dhe prishet. E dogji vapa duhanin. I dogji thatësira të lashtat.

8. Lëshon nxehtësi të madhe, është shumë i nxehtë, përvëlon. Djeg shumë dielli. Djeg hekuri. Të djeg gjella. Të djeg dielli i mesditës.

9. vet. veta III (zakon. me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. kallëzore). Ta përcëllon a ta bën plagë lëkurën ose të jep djegësirë në gojë, në fyt, në stomak etj, (për disa bimë, disa lëndë e mjete gërryese, disa lloje ushqimesh etj.). E dogjën hithrat. Ia dogji duart acidi. Më djeg brisku. Qepa (hudhra, piperi) të djeg. E dogji rakia në grykë.

10. vet. veta III (me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. dhanore). Kam zjarrmi ose ndiej djegësirë në trup a në një pjesë të tij. I djeg balli (fytyra, koka). I djegin duart. Më djegin sytë. Më djeg fyti (stomaku).

11. fig. (me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. kallëzore). Më bën të brengosem e të vuaj shumë, më mundon, s'më lë të qetë. E dogji malli (dashuria, dëshira).

12. fig. bised. E marr me qafë dikë, e fik; e bëj të humbasë e të dalë jashtë lojës ose jashtë garës. E dogji, e përvëloi. E dogji keq. E dogjën pa të drejtë. E dogji kundërshtarin. Ia dogjën dy lojtarë.

13. fig. (me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. dhanore). Më vjen hidhur, s'më pëlqen diçka; më ngacmon, më ther. I dogjën fjalët e mia. I dogji kritika (shakaja). I dogji ai shikim. E di unë ku i djeg atij.

14. edhe fig. bised. Bëj që diçka të shkojë dëm, e bëj të pavlefshëm; bëj t'i dështojë dikujt plani që kishte përgatitur. Ia dogjën biletat. E dogjën fondin. Ia dogji planet. Ia dogji diskutimin.

15. bised. Pi duhan, e ndez. E djeg ndonjëherë.

16. Nxeh shumë me zjarr e me flakë një furrë të re para se ta vë në përdorim; nxeh furrën para se të fut në të diçka që të piqet. Djeg furrën.

17. Pjek në furrë tullat; pjek në furrë gurin gëlqeror për të bërë gëlqere. Djeg tulla (tjegulla). Djeg gëlqere. Dogji pesë furra gëlqere.

  • Ia dogji lëkurën dikujt shih te LËKUR/Ë,~A. I djeg miza trembet se mos e kuptojnë të tjerët që ai e ka fajin (për një njeri që vërtet është fajtor). Djeg e pjek dikush vret e pret këdo, bën dëm në masë, shkatërron çdo gjë. Djeg raki (kazanin) bëj raki duke zier rrush etj. në një kazan të posaçëm. Dogji shaminë u gëzua shumë, bëri festë të madhe. I dogji shpirtin e hidhëroi shumë, e pikëlloi (thuhet sidomos kur dikujt i vdes një njeri shumë i dashur). I digjnin veshët shih te VESH,~I. Edhe i ha, edhe i djeg thjeshtligj., iron. shih te HA. Ku të dhemb e ku të djeg shih te DHEMB. Kujt i djeg le të kruhet thjeshtligj. ai që ka gabuar le ta kuptojë; nuk bëhem merak fare. Ia dogji kartat (letrat) në dorë dikujt ia kuptoi qëllimet që më parë dhe nuk e la t'i plotësojë ato, ia zbuloi planet dhe ia prishi para se t'i vërë në jetë. Ia ka djegur qulli (luga) buzën shih te QULL,~I. Për një plesht djeg jorganin shih te PLESHT,~I. Kur ka mashën, pse të djegë dorën fj. u. shih te MASH/Ë,~A 2. Sot i bën hunjtë, nesër i djeg shih te BËJ.